Takimi kokë më kokë Zelensky-Trump në Shtëpinë e Bardhë, agjenda dhe pritshmëritë mbi luftën në Ukrainë

Një nga momentet më të rëndësishme të maratonës diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë zhvillohet sot në Uashington, ku Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump do të takohen në Shtëpinë e Bardhë në orën 20:00 (ora lokale).
Ky takim përbën përballjen e parë të këtij niveli që nga fillimi i konfliktit në shkurt të vitit 2022 dhe reflekton intensitetin e negociatave për një zgjidhje të qëndrueshme të luftës.
Trump sinjalizon kompromis: Jo NATO, jo Krime për Ukrainën
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Presidenti amerikan Donald Trump hodhi hije të qarta mbi pozicionin e ardhshëm negociues:
“Presidenti Zelensky mund ta përfundojë luftën pothuajse menjëherë nëse dëshiron. Ose mund ta vazhdojë.”
Trump sqaroi gjithashtu se, për t’i dhënë fund armiqësive, Ukraina nuk do të rimarrë gadishullin e Krimesë dhe nuk do të bëhet pjesë e NATO-s – një qëndrim që ndryshon dukshëm nga retorika e administratës së mëparshme.
“Task-forca” evropiane në krah të Zelensky-t
Në takimin e sotëm do të marrin pjesë liderët më të lartë të Evropës, të cilët mbështesin Kievin, duke krijuar një “task-forcë” evropiane për të siguruar presion mbi Rusinë:
• Emmanuel Macron, President i Francës
• Friedrich Merz, Kancelar i Gjermanisë
• Giorgia Meloni, Kryeministre e Italisë
• Keir Starmer, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
• Alexander Stubbs, President i Finlandës
• Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s
• Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian
Programi parashikon që takimi mes Trump dhe Zelensky të zhvillohet fillimisht kokë më kokë në orën 20:00, përpara se bisedimet të zgjerohen me pjesëmarrjen e liderëve evropianë.
Mesazhi i Zelensky-t: Paqe e qëndrueshme
Menjëherë pas mbërritjes së tij në Uashington, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky publikoi një mesazh në platformën X (ish-Twitter), ku theksoi objektivin kryesor të vizitës së tij:
“Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë që kjo luftë të përfundojë shpejt dhe në mënyrë të besueshme. Dhe që paqja të zgjasë.”
Ky qëndrim nënvizon prioritetin e Kievin për një zgjidhje diplomatike që të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme, duke përfshirë angazhimin e partnerëve transatlantikë dhe evropianë.
Një moment kyç për të ardhmen e Ukrainës dhe Evropës
Takimi i sotëm shihet si vendimtar jo vetëm për rrjedhën e luftës në Ukrainë, por edhe për qëndrimin afatgjatë të Perëndimit ndaj Rusisë, për sigurinë në Evropë dhe mënyrën sesi do të trajtohen konfliktet e ngrira në të ardhmen.
Në një klimë me tensione gjeopolitike të larta, të gjithë sytë janë sot nga Shtëpia e Bardhë. Ky takim mund të formësojë një fazë të re – me kompromise të vështira, por ndoshta edhe me rrugëdalje konkrete drejt paqes.


