Sot skadon ultimatumi për Rusinë, Trump: I gatshëm të takohem me Putinin, edhe pa Zelenskyn

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është i hapur për një takim me Vladimir Putinin, edhe nëse ky i fundit refuzon të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. “Ata duan të takohen me mua dhe unë do të bëj gjithçka që mundem për të ndaluar vrasjet”, tha Trump nga Zyra Ovale.
Kremlini ka konfirmuar një “marrëveshje në parim” për një takim Putin–Trump në ditët në vijim, por përjashtoi mundësinë e një samiti trepalësh me Zelenskyn. Takimi i fundit ballë për ballë mes Trump dhe Putin ka qenë në vitin 2019, gjatë samitit të G20 në Japoni.
Trump ka vendosur një ultimatum ndaj Rusisë, i cili skadon sot, duke kërkuar marrëveshje me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës, në të kundërt ka paralajmëruar sanksione të ashpra ekonomike. I pyetur nëse ultimatumi mbetet në fuqi, ai u shpreh: “Do të varet nga Putini, do të shohim çfarë thotë ai”.


