The Guardian: Nigel Farage mori 5 mln paund dhuratë nga miliarderi i kriptove dhe më pas u bë deputet

Bota

The Guardian: Nigel Farage mori 5 mln paund dhuratë nga miliarderi i

Nigel Farage, një nga zërat më të fortë kundër emigracionit në Britani dhe shpesh kritik ndaj shqiptarëve, po përballet me akuza që vënë në pikëpyetje integritetin e tij politik.

Sipas The Guardian, Farage ka marrë 5 milionë paund nga miliarderi i kriptomonedhave Christopher Harborne, pak përpara se të shpallte kandidaturën në zgjedhjet e përgjithshme britanike të vitit 2024. Më herët, ai kishte deklaruar publikisht se nuk do të kandidonte, duke theksuar se do të mbështeste vetëm fushatën.

Megjithatë, brenda pak javësh nga marrja e kësaj shume, Farage ndryshoi qëndrim. Më 3 qershor 2024 ai shpalli kandidaturën në zonën Clacton-on-Sea dhe në korrik u zgjodh për herë të parë deputet. Më pas, ai ka shprehur ambicien për t’u bërë kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Christopher Harborne njihet si një nga donatorët më të mëdhenj në politikën britanike dhe mbështetës i Reform UK. Vetëm një vit më parë, ai dhuroi 9 milionë paund për këtë parti, ndërsa kontributet totale për vitin 2025 arritën në 12 milionë paund.


Fillimisht, as Farage dhe as Harborne nuk komentuan mbi pagesën. Më vonë, Farage e konfirmoi për The Telegraph, duke deklaruar se paratë ishin përdorur për sigurinë e tij personale. Shuma nuk ishte bërë publike më herët dhe nuk kishte detyrim ligjor për deklarim, pasi në atë kohë ai nuk ishte deputet dhe nuk kishte shpallur kandidaturën.

Rasti pritet të nxisë debat të ri mbi transparencën dhe ndikimin e financimeve private në politikën britanike, veçanërisht në raport me deklaratat publike të mëparshme të Farage dhe marrëdhënien e tij me biznesmenin.

 

ME TE LEXUARAT