Sherri për një vajzë përfundon në tragjedi! 25-vjeçari vritet me kaçavidë në Pavia

Bota

Sherri për një vajzë përfundon në tragjedi!

Një sherr është kthyer në tragjedi në Pavia, ku një 25-vjeçar humbi jetën pas një sulmi me kaçavidë.

Viktima, Gabriele Vaccaro, punonjës poste dhe me origjinë nga Favara, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda në qafë dhe bark.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në një parkim pranë Basilica di San Pietro in Ciel d’Oro, pas një mbrëmjeje që viktima kishte kaluar me miqtë në zonën e lokaleve të natës. Dyshohet se një debat me një grup tjetër të rinjsh, për motive banale, mund të ketë qenë shkaku i përplasjes.

Rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa po ktheheshin drejt makinës në parkimin “Cattaneo”, situata u përshkallëzua. Nga debatet verbale u kalua në dhunë fizike, ku një prej agresorëve nxori një kaçavidë dhe goditi disa herë 25-vjeçarin, duke e plagosur rëndë.

Fillimisht, miqtë e tij nuk e kuptuan seriozitetin e plagëve dhe e çuan në banesë, por gjendja e tij u përkeqësua shpejt për shkak të humbjes së madhe të gjakut. Ai u transportua me urgjencë në Ospedale San Matteo, ku ndërroi jetë rreth orës 06:00.

Policia ka shoqëruar tre persona për t’u marrë në pyetje, mes tyre një i mitur egjiptian i dyshuar si autor i goditjes fatale dhe dy të rinj me origjinë shqiptare. Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet po analizojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar të gjithë të përfshirët.

Në Favara është shpallur ditë zie, ndërsa familjarët dhe miqtë e kujtojnë viktimën si një djalë të qetë dhe të dashur pas futbollit.

ME TE LEXUARAT