“Putin mbylli samitin e Alaskës në gjuhën angleze”- CNN zbulon më shumë për aftësitë gjuhësore të Presidentit rus

Bota

“Putin mbylli samitin e Alaskës në gjuhën angleze”-

Samiti i Alaskës mes Vladimir Putinit dhe Donald Trump përfundoi me një moment të veçantë: presidenti rus i tha Trump-it “Dhe herën tjetër në Moskë” në anglisht, pa përdorur përkthyes, dhe mbylli samitin me një “thank you so much”.

Megjithatë, CNN thekson se Putini zakonisht përdor përkthyes gjatë negociatave diplomatike për të shmangur keqkuptimet dhe për t’i dhënë vetes hapësirë për manovrim. Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, një aftësi e zhvilluar gjatë kohës kur ishte oficer i KGB-së në Dresden, dhe ka njohuri të mira të anglishtes, sipas Kremlinit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Putini e kupton anglishten pothuajse plotësisht dhe madje korrigjon përkthyesit e tij. Megjithatë, gjatë bisedimeve zyrtare, përfshirë samitin me Trump, ai preferon të komunikojë përmes përkthyesve. Kjo praktikë i mundëson të shmangë pyetje të pakëndshme dhe të ruajë kontrollin gjatë negociatave.

Shembujt e aftësive gjuhësore të Putinit nuk mungojnë: në vitin 2008 dha intervistë për CNN pjesërisht në anglisht, në 2013 mbajti një deklaratë të gjatë në anglisht për kandidaturën e Rusisë për Ekspozitën Botërore 2020, dhe në 2010 këndoi këngën “Blueberry Hill” në një event bamirësie, përkrah yjeve të Hollivudit. Në një videokonferencë këtë vit, ai iu përgjigj rrjedhshëm në gjermanisht një qytetari gjerman që kërkonte shtetësinë ruse.

Takimi i fundit me Trump tregon se, edhe pse Putini përdor shpesh përkthyes, ai është i aftë të komunikojë direkt në anglisht kur situata e kërkon.

ME TE LEXUARAT