Ishte duke xhiruar…/Tragjedi në familjen e aktores së njohur, djali i saj ndërron jetë papritur në moshën 30 vjeçare!

Aktorja e njohur kubane Aylín Mujica po përjeton një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj, pas ndarjes së papritur nga jeta të djalit të saj të madh, Mauro Menéndez, i njohur në botën e muzikës me emrin artistik MAAHEZ. Lajmi tragjik u bë publik ditën e djeshme nga gazetarja Mandy Fridmann dhe u konfirmua më pas nga televizioni Telemundo. Sipas raportimeve, Mauro ishte në prag të 31-vjetorit.
Aylín Mujica e mori lajmin e rëndë ndërsa ndodhej në Bogotá të Kolumbisë, ku sapo kishte nisur xhirimet për reality show-n “Top Chef VIP”. Pas njoftimit, aktorja u largua menjëherë drejt Barbadosit, ku ndodhej djali i saj, për të kryer procedurat e nevojshme dhe për të marrë trupin e tij. Babai i Mauros, muzikanti kuban Osamu Menéndez, konfirmoi humbjen përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale.
“Më falni, nuk mund të flas. Djali im Mauro vdiq mbrëmë dhe jam i shkatërruar”, shkroi ai, duke treguar se ishte nisur për të marrë trupin e të birit. Sipas raportimeve të para, Mauro kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe po vuante nga pneumonia përpara se të udhëtonte drejt Barbadosit për të ndjekur një ndeshje bejsbolli.
Burime pranë familjes pretendojnë se Aylín i kishte kërkuar të mos udhëtonte dhe të vazhdonte trajtimin e të pushonte. Megjithatë, ai kishte vendosur ta realizonte udhëtimin. Gjatë qëndrimit në ishull, Mauro raportohet se pati vështirësi në frymëmarrje dhe u dërgua në spital, ku më pas ndërroi jetë. Disa media kanë shkruar se ai mund të ketë pësuar një infarkt të lidhur me komplikacionet e pneumonisë, por kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga familja apo autoritetet.
Mauro ishte djali i madh i Aylín Mujica-s dhe muzikantit Osamu Menéndez. Edhe pse ishte rritur pranë botës së spektaklit, ai zgjodhi të ndërtonte një karrierë të pavarur në industrinë muzikore.
Që në fëmijëri kishte studiuar instrumente si pianoja, kitara dhe bateria, ndërsa më vonë u orientua drejt produksionit dhe muzikës elektronike. Nën emrin artistik MAAHEZ, ai u bë i njohur si DJ dhe producent, duke eksperimentuar me zhanre si house, afro house, tech house dhe moombahton. Gjatë karrierës kishte performuar në klube dhe festivale të ndryshme, si dhe kishte bashkëpunuar me emra të njohur të skenës ndërkombëtare.
Në vitet e fundit Mauro po punonte për krijimin e një identiteti të ri muzikor dhe të një label-i të tij, përmes të cilit synonte të mbështeste talentet e reja të muzikës elektronike.


