Polici parandalon tragjedinë në Ankona, shpëton burrin që tentoi vetëvrasjen

Një ngjarje e pazakontë me fund të lumtur është shënuar në Osimo, në provincën e Ankonës, ku një burrë që kishte tentuar t’i jepte fund jetës është shpëtuar nga ndërhyrja e një oficeri të karabinierisë.
Sipas mediave italiane, gjithçka nisi pasi bashkëshortja e tij telefonoi numrin e emergjencës 112, duke raportuar se ai i kishte dërguar mesazhe në WhatsApp ku shprehte synimin për vetëvrasje. Ajo kishte dëgjuar gjithashtu zhurmën e dallgëve, duke dyshuar se ai ndodhej pranë detit.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e karabinierisë u nisën drejt zonës pranë portit turistik të Numanës, ku u lokalizua burri në gjendje të rënduar emocionale, teksa ndodhej pranë një shkëmbi.
Në një moment të tensionuar, një oficer arriti të vendoste kontakt me të, duke ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme për të shmangur tragjedinë. Në një akt të jashtëzakonshëm, ai u lidh me pranga me burrin, duke qëndruar pranë tij dhe duke thënë se “nëse bie ti, bie edhe unë me ty”, derisa situata u vu plotësisht nën kontroll.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe guximtare të efektivëve, u arrit të parandalohej një ngjarje tragjike, ndërsa burri u vu në siguri dhe mori ndihmën e nevojshme.