Pelosi refuzon pjesëmarrjen e aleatëve të ish-presidentit Trump në komisionin për 6 janarin

Bota

Pelosi refuzon pjesëmarrjen e aleatëve të ish-presidentit Trump

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, refuzoi të mërkurën dy anëtarë republikanë të zgjedhur nga udhëheqësi i republikanëve në Kongres, Kevin McCarthy për t’u bërë pjesë e një komisioni për hetimin e sulmit të dhunshëm të 6 janarit ndaj Kapitolit, një vendim që zoti McCarthy e denoncoi si “një abuzim të hapur me pushtetin”.

Zoti McCarthy tha se Partia Republikane nuk do të marrë pjesë në hetim nëse demokratët nuk do të pranojnë anëtarët që ai emëroi.

Zonja Pelosi përmendi si arsye “integritetin” e hetimit në refuzimin e saj ndaj emra të propozuar si Jim Banks, i cili ishte caktuar nga zoti McCarthy për të qenë republikani kryesor në komision dhe Jim Jordan. Të dy janë aleatë të ngushtë të ish-Presidentit Donald Trump, mbështetësit e të cilit rrethuan Kapitolin më 6 janar.

Në orët që pasuan rebelimin, si zoti Banks ashtu edhe zoti Jordan votuan për të përmbysur fitoren në zgjedhjet presidenciale të Joe Bidenit. Zonja Pelosi tha se ajo kishte folur me zotin McCarthy dhe i kishte thënë se ajo do t’i refuzonte dy emrat.

“Duke respektuar integritetin e hetimit, me përkushtim ndaj së vërtetës dhe e shqetësuar në lidhje me deklaratat e bëra dhe veprimet e ndërmarra nga këta anëtarë, më duhet të hedh poshtë rekomandimim për zotin Banks dhe zotin Jordan, si anëtarë të komisionit”, tha zonja Pelosi .



Zoti McCarthy tha në një deklaratë se lëvizja e zonjës Pelosi do të dëmtojë institucionin e Kongresit.

“Në qoftë se kryetarja Pelosi nuk ndryshon kursin dhe nuk pranon të pesë anëtarët republikanë, republikanët nuk do të jenë pjesë e procesit të tyre të rremë, por do të bëjmë hetimin tonë të fakteve,” tha zoti McCarthy.

Vendimi i Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve pritet të ndezë më tej tensionet midis dy palëve rreth kryengritjes dhe komisionit hetimor, të cilin pothuajse të gjithë republikanët e kundërshtuan.

Shumica e republikanëve i kanë qëndruar besnikë zotit Trump, pavarësisht nga kryengritja e dhunshme e mbështetësve të tij që bëri që shumë prej tyre të druheshin për jetën e tyre.

Zonja Pelosi tha në deklaratë se ajo kishte pranuar tre emrat e tjerë të propozuar nga zoti McCarthy, Rodney Davis, Kelly Armstrong dhe Troy Nehls.

Por zoti McCarthy tha se ose duhet të pranoheshin të pesë emrat ose nuk do të merrte pjesë asnjëri prej tyre.

Shtatë persona vdiqën gjatë dhe pas trazirave, përfshirë një grua që u qëllua nga policia ndërsa u përpoq të hynte në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe tre mbështetës të tjerë të zotit Trump që pësuan pronleme mjekësore. Dy oficerë policie kryen vetëvrasje në ditët që pasuan, dhe një oficer i tretë, Brian Sicknick, vdiq pas përplasjes me protestuesit. Një ekspert mjeko-ligjor arriti në përfundimin se ai vdiq nga shkaqe natyrore./VOA

ME TE LEXUARAT