Një ligj i ri në Turqi mund të rrisë tensionet me Greqinë

Raportimet për një projektligj të ri të qeverisë turke, që synon të përfshijë pretendimet e Ankarasë në Egje dhe Mesdheun Lindor në legjislacionin kombëtar, po konsiderohen si një sinjal i ri tensioni në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë.
Sipas mediave greke, drafti – ende i paformalizuar plotësisht – pritet të zyrtarizojë pozicionet afatgjata të Turqisë mbi juridiksionin detar, duke përfshirë pretendimet për kompetenca në lindje të meridianit të 25-të, nga operacionet e kërkim-shpëtimit deri te lejet për eksplorime në ujërat ndërkombëtare.
Raportohet gjithashtu se projektligji do të riafirmojë vlefshmërinë e memorandumit detar Turqi-Libi sipas interpretimit turk të së drejtës ndërkombëtare.
Turqia nuk e ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, ndryshe nga Greqia që e miratoi atë në vitin 1995. Vetëm pak ditë më pas, Parlamenti turk paralajmëroi se çdo zgjerim i ujërave territoriale greke në 12 milje detare do të konsiderohej “casus belli”.
Zyrtarë turq kanë pranuar se iniciativa mund të sjellë rritje të tensioneve në Egje, megjithëse analistët vlerësojnë se Ankaraja synon më shumë forcimin gradual të pozicionit të saj sesa një përshkallëzim të menjëhershëm.
Në Ankara ekziston shqetësim edhe për hapat e fundit të Athinës në planifikimin hapësinor detar, zgjerimin e bashkëpunimit me NATO-n, si dhe afrimin strategjik me Izraelin dhe Francën.


