Merkel thirrje Europës: Duhet të jetë e bashkuar përballë Kinës

Bota

Merkel thirrje Europës: Duhet të jetë e bashkuar

Kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel, bëri thirrje për unitet në përballje me fuqinë në rritje të Kinës. “Si e trajtojmë ngritjen e Kinës si një fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake varet shumë nga fakti nëse Evropa me të vërtetë flet me një zë”, tha Merkel gjatë një vizite në Spanjë ku u nderua me çmimin Carlos V.

“Fuqia e Evropës varet nga niveli i unitetit të saj”, tha ajo. Një raport i Qendrës për Studimin e Demokracisë me bazë në Bullgari ka thënë se investimet në rritje të ekonomisë kineze në Evropën Lindore dhe Qendrore, gjatë dekadës së fundit, kanë rezultuar edhe me rënie të standardeve të qeverisjes, si dhe kanë ngritur shqetësime në lidhje me mjedisin dhe rritjen e nivelit të borxhit.

Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Kinës janë përkeqësuar në kohët e fundit për shkak të tregtisë, spiunazhit dhe pandemisë. Kohët e fundit, Kina po përballet me kritika dhe sanksione ndërkombëtare për ndalimin e më shumë se 1 milionë ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1 milion pjesëtarë të këtyre grupeve etnike janë arrestuar dhe janë dërguar në qendra të mbajtjes.

Presionet ndaj Kinës janë shtuar edhe për shkak të miratimit të një ligji të sigurisë për Hong Kongut dhe shtypjes së zërave pro-demokracisë atje. Projekti global i Kinës, “Një brez një rrugë” ka ngjallur shqetësime në Perëndim, pasi po vlerësohet si një projekt i shtrirjes së ndikimit kinez në botë.

Që prej se u lansua më 2013 nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, nisma ka ndarë qindra miliarda dollarë për infrastrukturën e jashtme, duke rritur tregtinë dhe duke hapur rrugë që Pekini të krijojë lidhje të reja politike dhe ekonomike në mbarë botën. Shumë vende kanë marrë kredi nga Kina për projekte infrastrukturore dhe tash e kanë të vështirë kthimin e tyre.

Kjo, nga Perëndimi po shihet si një “kurth” i Kinës për të vendosur nën ndikim këto vende. Në samitin e G7-ës të mbajtur në mesin e muajit qershor, liderët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Kanadasë, Gjermanisë dhe Japonisë dolën me një plan alternativ të investimeve në infrastrukturën globale për të rivalizuar planin kinez.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka paralajmëruar fuqitë e huaja kundër përpjekjes për të provokuar ose të ndikojnë në vendin e tij. /REL

 

ME TE LEXUARAT