Lufta/ Trump shtyn me 5 ditë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit

Dita e 24 e konfliktit në Lindjen e Mesme të përshkallëzuar pas sulmeve të koordinuara mes SHBA-së dhe Izraelit kundrejt Iranit, ka sjellë një ndalim 5 ditor të sulmeve amerikane të njoftuar nga presidenti Donald Trump. Në një postim në rrjetet sociale, Trump shkruan se për 5 ditët e ardhshme, nuk do të ketë sulme drejt centraleve energjetike të Iranit, një ndryshim kursi që vjen pas 2 ditëve bisedime të suksesshme mes grupeve negociatore SHBA-Iran. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Izraeli dhe Irani.
“Bazuar në karakterin dhe tonin e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të shtyjë çdo dhe të gjitha sulmet ushtarake kundër centraleve energjetike dhe infrastrukturës së energjisë iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vijim”, shkruan Trump.
Kjo shtyjre e sulmeve, vjen në një moment kritik kërcënimesh mes palëve për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Nga e shtuna, Trump i vendosi 48 orë afat Iranit, për të rihapur plotësisht Hormuzin ose në të kundërt do të sulmonte të gjitha centralet energjetike të vendit.
Nga ana tjetër, Teherani u zotua për kundërpërgjigje duke kërcënuar SHBA-në se do të minonte të gjitha centralet në Gjirin Persik në rast sulmi drejt infrastrukturës së energjisë vendase. Ngushtica e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin detar, është bllokuar që më 28 shkurt në përshkallëzim të konfliktit duke çuar shumë vende të botës drejt krizës sa i përket furnizimit me naftë. Irani e ka bllokuar kalimin në Hormuz për vendet jo mike.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se asnjë vend nuk është “imun” ndaj pasojave të ngadalësimit të transportit të naftës pasi transportet e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) që kalojnë përmes kanalit jetik të Ngushticës së Hormuzit, mbeten të bllokuara nga bllokada iraniane.
Më parë, Irani vendosi 6 kushte për t’i dhënë fund konfliktit; Siguri që konflikti të mos përsëritet, mbylljen e bazave amerikane në rajon, pagesën e kompensimit për Iranin, përfundimin e luftës kundër të gjitha grupeve rajonale të lidhura me Iranin, zbatimin e një regjimi të ri ligjor për Ngushticën e Hormuzit dhe ndjekjen penale dhe ekstradimin e punonjësve të medias anti-iraniane.
Ndërkohë mediat iraniane njoftojnë për sulme në Teheran. Një avion amerikan është rrëzuar në Kuvajt.


