Lexon bisedat, merr fjalëkalimet, fshin të dhënat/ Programi kinez i spiunazhit përhapet edhe në vendet e NATO-s

Bota

Lexon bisedat, merr fjalëkalimet, fshin të dhënat/ Programi kinez

Një program kinez që përdoret për spiunazh në internet është përhapur në dhjetëra vende dhe, sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, tashmë mund të depërtojë jo vetëm në telefonat dhe kompjuterët e njerëzve, por edhe te ruteri i internetit, pajisja që lidh të gjitha pajisjet e një shtëpie ose zyre me rrjetin.

Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Arctic Wolf, programi quhet LightSpy dhe është shumë më i avancuar se sa ishte kur u zbulua për herë të parë në vitin 2018. Ekspertët thonë se ai është kthyer në një "paketë" spiunazhi që mund të blihet dhe të përdoret nga qeveri, ushtri apo kompani të ndryshme.

Nëse një pajisje infektohet, programi mund të marrë pothuajse gjithçka që ndodhet në të. Ai mund të shohë vendndodhjen e përdoruesit, të lexojë bisedat në aplikacionet e mesazheve, të marrë fjalëkalimet e ruajtura, të bëjë fotografi të ekranit dhe madje të fshijë të gjitha të dhënat nga distanca.

Zbulimi që ka shqetësuar më shumë ekspertët është fakti se LightSpy është gjetur edhe në ruterë. Kjo është e rëndësishme sepse ruteri është pajisja që shpërndan internetin në shtëpi apo në zyrë. Nëse dikush merr kontrollin e tij, mund të ketë akses edhe te telefonat, kompjuterët, kamerat apo pajisjet e tjera që përdorin të njëjtin rrjet.

Kompania Arctic Wolf thotë se disa nga ruterët e prekur ndodhen në vende anëtare të NATO-s, ndërsa rrjeti i këtij programi funksionon përmes të paktën 117 serverëve në vende të ndryshme të botës.

Hetuesit arritën të lidhnin aktivitetin e programit me një nënkontraktor kinez pas një gabimi të pazakontë. Sipas raportit, një nga personat që përdorte sistemin porositi ushqim në një restorant duke përdorur emrin e tij të vërtetë dhe adresën e zyrës, gjë që ndihmoi ekspertët të gjurmonin identitetin e tij.

ME TE LEXUARAT