Njëri u vendosi zjarrin dy makinave, tjetri lëvizte me armë dhe drogë, dy të arrestuar në Elbasan

Aktualitet

Njëri u vendosi zjarrin dy makinave, tjetri lëvizte me armë dhe

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, si dhe në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses dy operacionet policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja”.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Fire”, si rezultat i veprimeve të kryera dhe i hetimeve të thelluara, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit:

E.K., 43 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas dyshohet se më datë 07.08.2026, rreth orës 01:00, ka djegur me lëndë djegëse (benzinë), automjetin në përdorim nga shtetasi L. D., 26 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu, nga veprimet e thelluara hetimore, shtetasi E. K. dyshohet se është autor edhe i djegies së dy automjeteve, në pronësi të shtetasit E. H., më datë 28.06.2026.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mbikëqyrja”, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:

D.R., 32 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.

Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi D. R. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Arma e zjarrit, municioni luftarak dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT