Laborator droge në banesë! Shqiptari dhe italiani kapen duke drejtuar trafikun në Cremona

Një operacion i policisë italiane në Cremona ka çmontuar një bazë të dyshuar të përpunimit dhe shpërndarjes së drogës, duke çuar në arrestimin e dy personave, mes tyre një shtetas shqiptar.
Sipas autoriteteve, në banesën e përdorur nga të dyshuarit ishte ngritur një laborator për përpunimin e kokainës. Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 6 kilogramë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, përfshirë kokainë, hashash dhe marijuanë, të ndara pjesërisht në doza të gatshme për treg.
Hetimet tregojnë se shqiptari 29-vjeçar dyshohet të ketë furnizuar me drogë bashkëpunëtorin italian 34-vjeçar. Të dy rezultojnë me precedentë penalë, ndërsa njëri prej tyre ishte edhe në kërkim.
Policia gjeti gjithashtu para cash, peshore elektronike, pajisje paketimi me vakum dhe materiale të tjera që përdoreshin për përgatitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Një telefon celular i sekuestruar pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar lidhje të tjera të mundshme të rrjetit.