I shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, shqiptari ekstradohet nga Italia drejt Gjermanisë

Një 34-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në Gjermani, është ekstraduar drejt Berlinit pas arrestimit në Itali nga autoritetet e rendit.
Sipas hetimeve, ai akuzohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike gjatë periudhës pranverë–verë 2023 në qytetin e Solingenit dhe zona të tjera përreth.
Për këtë çështje, në qershor 2025 autoritetet gjyqësore gjermane kishin lëshuar një urdhër-arresti evropian.
Ai u kap nga Karabinierët italianë në një banesë në Savignano sul Rubicone, në kuadër të një operacioni të përbashkët me autoritetet gjermane. Pas procedurave ligjore të ekstradimit dhe vendimeve të Gjykatës së Apelit të Bolonjës, 34-vjeçari u shoqërua drejt aeroportit të Milanos “Malpensa”, nga ku u dorëzua tek autoritetet gjermane në Berlin.


