Harmoni fetare në Spanjë, një kishë në Barcelonë shtron iftar për besimtarët myslimanë

Kisha Santa Annas në Barcelonë ka shtruar iftar për besimtarët myslimanë. Kjo ka ardhur për shkak të situatës së Covid-19, që nuk lejon myslimanët që të hanë iftar në ambjente të mbyllura. Mediat spanjolle shkruajnë se çdo mbrëmje rreth 50 deri në 60 myslimanë, shumë prej tyre të pastrehë, shkojnë në kishën katolike, ku vullnetarët iu ofrojnë një vakt të bollshëm.
Për këtë gjest, ka folur një i ri nga Maroku, i cili flet për harmoninë fetare.“Ne jemi të gjithë njëlloj, nuk ka asnjë problem. Ne jemi të gjithë vëllezër, i respektojmë ata dhe ata na respektojnë ne”, tha ai.

Ndërkohë që presidentja e Shoqatës Katalanase të Grave Marokene, Faouzia Chati, dikur i organizonte darkat e iftarit në qytet, por kufizimet e ngrënies në ambiente të mbyllura e detyruan atë të kërkonte një hapësirë alternative me ajrosje të mirë dhe hapësirë për distancim. Chati gjeti mbështetje dhe një derë të hapur tek At Peio Sanchez, drejtues i Kishës, i cili e pranoi menjëherë propozimin.
“Njerëzit janë shumë të lumtur që myslimanët mund të shkojnë për iftar në një kishë katolike, sepse fetë shërbejnë për të na bashkuar, jo për të na ndarë”, tha Chati, ndëra prifti tha:“Edhe pse me kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme, fe të ndryshme, ne jemi më të aftë të ulemi dhe të flasim sesa disa politikanë.”


