Flakët i marrin jetën 3 zjarrfikësve/ Greqia përballet me zjarre, situata më kritike në Kretë

Tre zjarrfikës kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë Greqinë. Sipas autoriteteve, dy prej tyre, 25 dhe 58 vjeç, humbën orientimin për shkak të tymit të dendur dhe mbetën të bllokuar brenda automjetit, kur një zjarr masiv përfshiu një zonë pyjore në ishullin e Kretës. Një tjetër zjarrfikës, 27 vjeç, ndërroi jetë nga një atak kardiak gjatë ndërhyrjes në një vatër zjarri në Greqinë kontinentale.
Situata më e rëndë paraqitet në jug të Kretës, ku flakët, të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, vijojnë të jenë jashtë kontrollit. Shumë fshatra janë evakuuar, ndërsa banorët janë larguar nga zonat e rrezikut edhe me mjete lundruese.
Gjatë natës, operacionet për shuarjen e flakëve kanë vijuar vetëm nga forcat tokësore, ndërsa mjetet ajrore janë tërhequr. Sipas Shërbimit të Zjarrfikësve, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 37 vatra zjarri në të gjithë vendin.
Autoritetet mbeten në gatishmëri, pasi temperaturat e larta dhe erërat e forta pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke rritur rrezikun për përhapjen e zjarreve.


