Çfarë parashikon plani 800 miliardë dollarësh nga Evropa dhe SHBA për Ukrainën

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të tërheqin deri në 800 miliardë dollarë në fonde publike dhe private për të rindërtuar Ukrainën pas përfundimit të pushtimit rus, sipas një dokumenti të siguruar nga Politico. Dokumenti 18-faqësh përshkruan një plan dhjetëvjeçar që synon të sigurojë rimëkëmbjen e Ukrainës, me një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian e qarkulloi planin në kryeqytetet evropiane përpara një samiti të liderëve të enjten në mbrëmje, sipas tre zyrtarëve dhe diplomatëve të BE-së që folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Dokumenti është i datës 22 janar.
Strategjia e Uashingtonit dhe Brukselit, e cila parashikon mobilizimin e qindra miliarda dollarëve në financim afatgjatë dhe prezantimin e Ukrainës si një shtet anëtar i ardhshëm i BE-së dhe një destinacion tërheqës për investime, varet nga një armëpushim. Por kjo mbetet një perspektivë e largët për sa kohë që vazhdojnë armiqësitë nga Rusia.
Plani i financimit shtrihet deri në vitin 2040 dhe vjen me një plan operativ 100-ditor për ta nisur atë menjëherë. Megjithatë, tërheqja e investimeve të jashtme konsiderohet jashtëzakonisht e vështirë ndërsa lufta vazhdon, siç është vënë në dukje nga BlackRock, e cila ka një rol këshillues në planin e rindërtimit – në bazë vullnetare.
“Mendoni pak. Nëse jeni një fond pensionesh, keni detyrime ndaj klientëve dhe pensionistëve tuaj. Është pothuajse e pamundur të investoni në një zonë lufte. Duhet të ketë renditjen e duhur dhe kjo do të kërkojë kohë”, tha nënkryetari i BlackRock, Philip Hildebrand, në një intervistë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Plani i “prosperitetit” është pjesë e një kuadri paqeje prej 20 pikash që SHBA-të po negociojnë midis Kievit dhe Moskës.


