BE ndyshon sërish rregullat për fluturme, ja çfarë ka të re

Evropa është gati të mbyllë një kapitull të gjatë kufizimesh që ka ndikuar çdo udhëtar ajror që nga viti 2006. Sipas një vendimi që pritet të miratohet nga Konferenca Evropiane e Aviacionit Civil (ECAC), do të lejohet sasia mbi 100 ml e lëngjeve në bagazhin e dorës, por vetëm në aeroportet që kanë instaluar teknologji të avancuar të skanimit.
Risia vjen pas përhapjes së skanerëve Hi-Scan 6040 CTiX, të cilët kanë aftësinë të zbulojnë me saktësi edhe substancat më të rrezikshme, përfshirë eksplozivët, pa nevojën për kufizime strikte.
Ndryshimi do të aplikohet fillimisht në aeroportet kryesore të Italisë si Milano Malpensa dhe Linate, Roma Fiumicino, Bergamo, Bologna, Torino dhe Catania – që së bashku përpunojnë rreth 70 milionë pasagjerë në vit.
Përfitimet për pasagjerët ku teknologjia është aktive përfshijnë:
• Mbajtje e lejuar e lëngjeve mbi 100 ml në bagazhin e dorës
• Nuk do të kërkohet më nxjerrja e tyre gjatë kontrollit
• Proces më i shpejtë dhe më pak stres në pikat e sigurisë
Megjithatë, aeroportet që nuk e kanë ende këtë teknologji do të vijojnë me rregullin e vjetër. Kufizimi prej 100 ml u vendos si masë sigurie pas sulmeve të 11 shtatorit dhe atentateve të planifikuara me eksplozivë të lëngshëm. Sot, falë përparimeve teknologjike, BE është gati të zhbëjë një prej ndalesave më të bezdisshme për udhëtarët.


