3,250 viktima në një ditë, Covid-19 i merr frymën Brazilit, mjekët: Në rrezik moshat e reja

Situata e Covid-19 në Brazil shfaqet e përkeqësuar. Mësohet nga mediat braziliane se një ditë më parë, për shkak të armikut të pamundur, kanë humbur jetën 3,250 persona. Kjo e bën Brazilin një nga vendet me numrin më të lartë në botë te fataliteteve ditore, dhe një bilanc total që është fare pranë vlerës 300 mijë.
Ndërkohë, ajo që shqetëson autoritetet shëndetësore në vendin latin, është se në vendin e tyre po qarkullon një variant i koronavirusit që është më i transmetueshëm dhe po vret edhe moshat më të reja.
Organizata Panamerikane e Shëndetit ka deklaruar se i gjithë kontinenti, për pasojë, është i rrezikuar. Ka qenë drejtoresha e organizatës, Carissa Etienne që ka folur për situatën. “Fatkeqësisht, situata serioze në Brazil po shtrihet edhe në vendet fqinje. Janë rritur rastet në Venezuelë, po rriten në Kili, Paraguaj, Uruguaj ku janë zënë shumica e shtretërve të terapisë intensive,” tha ajo.
Sipas Ministrisë braziliane të Shëndetësisë, spitalet kanë mungesa të theksuara oksigjeni për pacientët me covid, ndërsa në San-Paolo, 135 veta humbën jetën javën e shkuar duke pritur radhën e shtrimit në spital. Presidenti, Zhair Bolsonaro, tha se strategjia që i mbetet vendit tani është të shpejtojë fushatën e vaksinimit për tërë popullatën.
Ndërkohë, në mbrëmje, brazilianët në gjithë vendin dolën ballkoneve e dritare duke zhurmuar me goditjen e tenxhereve e tiganëve në shenjë proteste ndaj presidentit Bolsonaro, i cili akuzohet si shkaktari i krizës së rëndë shëndetësore


