Katastrofë ushqimore globale/ OKB: Bllokimi i Hormuzit mund të çojë miliona njerëz drejt urisë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ngritur alarmin se bllokimi i vazhdueshëm i Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë një krizë të rëndë ushqimore globale brenda pak javësh.
Sipas OKB-së, ndërprerja e transportit të plehrave kimike përmes kësaj rruge detare rrezikon të shtyjë miliona njerëz drejt urisë, veçanërisht në Afrikë dhe Azi.
Kreu i grupit të posaçëm të OKB për këtë çështje, Jorge Moreira da Silva, deklaroi se komuniteti ndërkombëtar ka vetëm “pak javë kohë” për të shmangur një katastrofë humanitare.
“Rreth 45 milionë njerëz të tjerë mund të përballen me uri nëse kriza vazhdon”, tha ai për AFP.
Irani ka bllokuar prej muajsh Ngushticën e Hormuzit si reagim ndaj luftës së nisur nga SHBA dhe Izrael më 28 shkurt.
Përmes kësaj rruge kalon rreth një e treta e plehrave kimike që tregtohen globalisht, ndërsa furnizimet prekin kryesisht vende si Brazili, Kina, India dhe shtete të ndryshme afrikane.
OKB po punon për krijimin e një mekanizmi të posaçëm që do të lejojë kalimin e anijeve me plehra kimike dhe materiale bazë si amoniaku, squfuri dhe ureja.
Sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, kalimi i vetëm pesë anijeve në ditë do të ishte i mjaftueshëm për të shmangur një krizë në sektorin bujqësor.
Megjithatë, negociatat me SHBA, Iran dhe vendet e Gjirit ende nuk kanë prodhuar një zgjidhje.
OKB paralajmëron se rritja e çmimeve të plehrave kimike mund të sjellë ulje të prodhimit bujqësor dhe një rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve në mbarë botën.


