Drogë, armë dhe … Goditet grupi kriminal, arrestohen 28 shqiptarë në Itali

Një operacion i gjerë policor i autoriteteve italiane është zhvilluar në disa qytete të vendit, duke çuar në arrestimin e 28 shtetasve shqiptarë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas mediave italiane, grupi kriminal dyshohet se ishte i përfshirë jo vetëm në importin e lëndëve narkotike, por edhe në shpërndarjen e tyre në zona të ndryshme të rajonit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 24 kilogramë kokainë, 23 kilogramë marijuanë, 5.6 kilogramë hashash, 76 mijë euro cash si dhe një armë zjarri, të dyshuara si të ardhura dhe mjete të aktivitetit kriminal.
Hetimet kanë nisur pas dokumentimit të më shumë se 150 episodeve të trafikut të drogës, përmes përgjimeve, vëzhgimeve dhe materialeve filmike. Autoritetet bëjnë me dije se të dyshuarit kishin ngritur një sistem të sofistikuar komunikimi, duke përdorur platforma sociale, biseda të koduara dhe identitete fiktive për t’iu shmangur përgjimeve.
Sipas hetimeve, droga dyshohet se vinte nga Belgjika dhe Spanja dhe transportohej e fshehur në automjete me ndarje të dyfishta, shpesh në sasi të mëdha, deri në 10–15 kilogramë për ngarkesë, për t’u shpërndarë më pas në tregun lokal.
Grupi kriminal raportohet se funksiononte i ndarë në pesë struktura të ndryshme që nuk kishin njohje direkte mes tyre, ku secila kishte rol të përcaktuar në blerje, transport, përpunim, ruajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Disa prej anëtarëve dyshohet se janë përfshirë edhe në veprime të dhunshme dhe përdorim armësh për mbledhjen e borxheve nga aktiviteti i paligjshëm.