Bojkoti ndaj rregullores së GJKKO-së, shtyhet seanca për masën e sigurisë ndaj Leli Kajës, i arrestuar për korrupsion

Është shtyrë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Leli Kajës, administratorit të shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i arrestuar nga BKH nën dyshimin për korrupsion pasiv.
Seanca u zhvillua këtë të enjte në GJKKO, me gjyqtar Bib Ndrecën, por në sallë nuk u paraqit asnjë avokat, përfshirë edhe mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata. Për avokatët e thirrur u vendos gjobë në masën 60 mijë lekë secili.
Për shkak të mungesës së mbrojtësve, seanca u shty për ditën e nesërme, në orën 09:00. Ky është afati i fundit për caktimin e masës së sigurisë, në të kundërt Kaja duhet të lirohet.
Gjatë seancës, Leli Kaja ishte i pranishëm dhe deklaroi se kërkon të mbrohet nga një avokat, pavarësisht se është vetë jurist.
Kaja u arrestua më 5 tetor nga agjentët e BKH-së, pasi dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 400 mijë lekë nga administratori i një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkohen me ligj si administrator i “ECO-ELB” sh.a.
Sipas hetimeve, gjatë kontrollit personal, Kajës iu gjet dhe sekuestrua shuma e parave, e cila dyshohet se ishte përfitim i paligjshëm.


