BE "hap thesin" për Ukrainën, 45 miliardë euro për vitin 2027, 25 miliardë shkojnë për ar'mët

Komisioni Evropian po përgatit një paketë të re financiare prej 45 miliardë eurosh në mbështetje të Ukrainës për vitin 2027. Plani synon të ndihmojë Kievin të përballojë nevojat ekonomike dhe ushtarake, në një kohë kur vendi pritet të përballet me mungesa të konsiderueshme financimi.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, nisma vjen pas paralajmërimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se vendi i tij do të ketë një deficit financimi prej rreth 70 miliardë eurosh gjatë vitit 2027, duke kërkuar mbështetje më të madhe nga Bashkimi Evropian.
Sipas planit të propozuar, 25 miliardë euro do të orientohen drejt industrisë së mbrojtjes, me synimin për të rritur kapacitetet ushtarake të Ukrainës dhe për të siguruar pajisjet e nevojshme. Përparësi do t'u jepet prodhuesve evropianë dhe ukrainas, ndërsa do të ruhet mundësia e blerjeve nga vende të tjera në rast nevoje.
Pjesa tjetër e financimit, prej 20 miliardë eurosh, do të ndahet në dy fonde të barabarta. Dhjetë miliardë euro do të përdoren për ndihmë makrofinanciare, ndërsa 10 miliardë euro të tjera do të kalojnë përmes instrumentit të mbështetjes për Ukrainën. Dhënia e këtyre fondeve do të kushtëzohet me përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Megjithatë, edhe nëse paketa miratohet, financimi i parashikuar nuk do të mbulojë të gjitha nevojat e Kievit. Sipas vlerësimeve paraprake, do të mbetet ende një mungesë prej rreth 25 miliardë eurosh për vitin 2027. Për të siguruar fonde shtesë, Komisioni Evropian po shqyrton edhe përfshirjen e vendeve të treta me kapacitete të larta financiare, të cilat mund të ofrojnë garanci për kreditë e Ukrainës.
Kjo skemë pritet të mundësojë mobilizimin e rreth 5 miliardë eurove shtesë, përtej kontributit të parashikuar nga BE-ja. Një tjetër mekanizëm lidhet me kreditë e reja të vendeve të G7, të cilat do të mbështeteshin nga të ardhurat e ardhshme që gjenerojnë asetet shtetërore ruse të ngrira. Këto fonde do të përdoren pasi të jenë shlyer kreditë e mëparshme të miratuara në kuadër të mekanizmit të vitit 2024.
Sipas skemës së propozuar, Ukraina do të duhet t'i shlyejë kreditë e reja vetëm në rast se merr dëmshpërblime lufte nga Rusia. Ndërkohë, kostot e interesave do të mbulohen nga buxheti i Bashkimit Evropian. Propozimi pritet të diskutohet nga vendet anëtare, ndërsa miratimi i tij do të jetë vendimtar për sigurimin e mbështetjes financiare të Kievit gjatë vitit 2027.


