Shqiptarët drejt krijimit të bizneseve të tyre personale, QKB njofton rritje të numrit të regjistrimeve në tetor

Gjatë muajit tetor 2026, në Shqipëri janë regjistruar 1 755 subjekte të reja ekonomike, ndërsa numri i përgjithshëm i aplikimeve të administruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), në tre regjistrat e saj, arriti në 11,248.
Sipas të dhënave zyrtare të QKB-së, aktiviteti i regjistrimeve të reja është përqendruar kryesisht në Tiranë, ndërsa tregtia, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, informacioni dhe komunikacioni, si dhe ndërtimi rezultojnë ndër sektorët më të preferuar për hapjen e bizneseve të reja.
Nga 1,755 subjektet e regjistruara, 1,465 janë me pronësi 100% shqiptare, 272 me pronësi tërësisht të huaj dhe 18 me kapital të përbashkët shqiptar dhe të huaj. Kjo do të thotë se 290 biznese të reja, ose rreth 16.5% e totalit, kanë pjesëmarrje të kapitalit të huaj.
Sa i përket formës ligjore, pjesa më e madhe e regjistrimeve u përket personave fizikë, me 1,263 subjekte, që përfaqësojnë rreth 72% të totalit. Ndërkohë, janë regjistruar 484 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, tri degë të shoqërive të huaja, dy shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, dy shoqëri të thjeshta dhe një shoqëri aksionare.
Shpërndarja gjeografike tregon se Tirana vijon të jetë qendra kryesore e aktivitetit sipërmarrës në vend. Vetëm gjatë tetorit, në kryeqytet janë regjistruar 1,019 subjekte të reja, ose rreth 58% e totalit kombëtar.
Në vendin e dytë renditet Durrësi me 214 subjekte, i ndjekur nga Vlora me 119, Fieri me 92 dhe Elbasani me 77 regjistrime.
Sipas aktivitetit ekonomik, tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, renditet në vendin e parë me 425 subjekte të regjistruara.
Në vendin e dytë është sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 188 biznese të reja, duke reflektuar interesin për aktivitetet e lidhura me hotelerinë, restorantet dhe shërbimet e mikpritjes.
Një numër i konsiderueshëm regjistrimesh është evidentuar edhe në sektorin e informacionit dhe komunikacionit, me 169 subjekte, ndërsa ndërtimi ka regjistruar 162 biznese të reja.
Të dhënat e QKB-së tregojnë gjithashtu se 543 subjekte të regjistruara gjatë tetorit administrohen nga femra, duke përfaqësuar rreth 31% të bizneseve të reja.
Përveç regjistrimeve tregtare, Qendra Kombëtare e Biznesit ka administruar edhe regjistrimin e 190 lejeve dhe licencave gjatë muajit tetor 2026, ndërsa në Regjistrin e Pronarëve Përfitues janë regjistruar 512 subjekte.


