Ana Brnabiç bën deklaratën e fortë: Po përgatitet arrestimi i Aleksandar Vuçiçit!

Nënkryetarja e Bordit Kryesor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Ana Brnabiç, e cila mban gjithashtu postin e kryetares në detyrë të Kuvendit të Serbisë, deklaroi se, sipas saj, ka nisur një “gjueti për arrestimin” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Brnabiç shkroi në rrjetin social “X” se qëllimi i kësaj nuk është drejtësia, por, siç shprehet ajo, largimi i tij.
Ajo pretendon se Vuçiçit iu pamundësua të fliste gjatë fushatës zgjedhore dhe se, gjatë heshtjes zgjedhore, ai u sulmua, ndërsa u përhapën të pavërteta për të dhe familjen e tij.
Sipas Brnabiç, paralajmërimi për marrjen në pyetje dhe arrestimin e mundshëm të Vuçiçit lidhet me hetimin mbi shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Brnabiç pyeti se përse, sipas pretendimeve të saj, anëtarët e Komisionit të Auditimit, të cilët e kontrolluan projektin dhe dhanë pëlqimin e tyre pa kërkuar verifikime shtesë, nuk u morën në pyetje dhe as nuk u vunë nën dyshim, ndërsa presidenti i atëhershëm i shtetit është nën dyshim për shkak të informacioneve lidhur me zbatimin e projektit.
Ajo e krahasoi këtë rast me shembjen e një pjese të çatisë në terminalin e aeroportit "Charles de Gaulle" në Francë, në vitin 2004, ngjarje që shkaktoi vdekjen e katër personave, duke thënë se presidenti i atëhershëm, Jacques Chirac, nuk ishte i dyshuari kryesor.
“Qëllimi këtu është të heshtet dhe të largohet Aleksandar Vuçiç, e jo të vendoset drejtësi,” tha Brnabiç, duke shtuar se SNS-ja do të luftojë kundër asaj që ajo e quajti “terror revolucionar”


