Ambasada Amerikane thirrje qytetarëve: Mos u bëni pre e mashtrimeve për viza, raportoni çdo rast abuzimi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përsëritur thirrjen ndaj qytetarëve shqiptarë që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të personave apo agjencive që premtojnë sigurimin e vizave amerikane kundrejt pagesave.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane ka paralajmëruar të gjithë aplikantët për viza që të mos i besojnë personave të tretë që pretendojnë se mund të ndikojnë në procesin e pajisjes me vizë, duke theksuar se shumë prej këtyre rasteve kanë si qëllim përfitimin e parave nga qytetarët.
Selia diplomatike nënvizon se agjencitë apo individët që ofrojnë “garanci” për marrjen e një vize shpesh synojnë vetëm përfitime financiare dhe jo dhënien e këshillave të sakta për aplikuesit.
Në mesazhin e saj, ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshuar mashtrimi ose keqpërdorimi që lidhet me vizat amerikane.
“Raporto Mashtrimin me Visa”, shkruan Ambasada Amerikane, duke theksuar se nën drejtimin e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, Departamenti Amerikan i Shtetit i trajton me seriozitet maksimal të gjitha pretendimet për mashtrim apo keqpërdorim të vizave.
Sipas ambasadës, autoritetet amerikane shqyrtojnë me kujdes çdo denoncim që lidhet me mashtrimet në procesin e vizave dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e plotë të ligjeve të Shteteve të Bashkuara.
“Nxisim anëtarët e publikut të japin çdo informacion në lidhje me mashtrimin ose keqpërdorimin e mundshëm të vizave amerikane për hetim të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.
Ambasada u kërkon qytetarëve që gjatë raportimit të japin sa më shumë të dhëna dhe informacione identifikuese, pasi kjo rrit mundësinë që denoncimi të çojë në një hetim të suksesshëm.
Njëkohësisht, bëhet me dije se raportimet mund të kryhen edhe në mënyrë anonime. Megjithatë, autoritetet amerikane inkurajojnë qytetarët të japin emrin dhe adresën e postës elektronike, në mënyrë që të mund të kontaktohen në rast se kërkohen sqarime apo informacione shtesë lidhur me denoncimin.
Përmes kësaj fushate ndërgjegjësuese, Ambasada Amerikane synon të parandalojë rastet e mashtrimit me viza dhe të inkurajojë qytetarët që të ndjekin vetëm procedurat zyrtare të aplikimit, pa paguar ndërmjetës apo persona që pretendojnë se mund të garantojnë miratimin e një vize amerikane.


