Alarm në Vlorë, 7 fëmijë të një kopshti përfundojnë në pediatri, dyshohet për helmim

Dyshime për probleme nga ushqimi janë regjistruar në Vlorë, ku 7 raste kanë kërkuar shërbim në pediatri.
Të tjerë prindër konfirmojnë simptomat, por u kanë dhënë fëmijëve shërbim në banesë. Bëhet fjalë për fëmijët e Kopshtit nr. 10 në Vlorë, të cilët mbrëmjen e kaluar kanë pasur simptoma me bark e të vjella të vazhdueshme.
Spitali ka lajmëruar Institutin e Shëndetit Publik, të cilët kanë marrë mostrat dhe presin përgjigjen e analizave se nga ka ardhur helmimi.
Gjashtë fëmijë, nga 7 në total, po marrin trajtim mjekësor në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas dyshimeve për helmim në kopshtin numër 10 të qytetit.
Ndërkohë, situata në spital është shoqëruar edhe me interesimin e efektivëve të Policisë, të cilët janë paraqitur në ambientet e pediatrisë për t’u informuar mbi gjendjen e fëmijëve. Mediat kanë hasur kufizime për të hyrë në repart, ndërsa mjekët po ndjekin gjendjen shëndetësore të të miturve.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për gjashtë fëmijë që po marrin trajtim mjekësor. Ndërkohë, priten rezultatet e analizave nga Drejtoria e Shëndetit Publik, të cilat pritet të hedhin dritë mbi shkakun e dyshuar të helmimit në kopshtin numër 10.
Shkaku i ngjarjes mbetet ende për t’u konfirmuar nga autoritetet përkatëse.


