AKU gjobit “Redian Dobruna” dhe “Pronatyra treg”, ndalon aktivitetin e “Sybi Ametbeja” dhe bllokon misrin e “Besniku shpk”

Aktualitet

AKU gjobit “Redian Dobruna” dhe “Pronatyra treg”, ndalon

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar mbi 88 ton produkte ushqimore dhe ka vendosur dy gjoba me vlerë totale 400 mijë lekë, pas kontrolleve të ushtruara në të gjithë vendin më 26 dhe 27 nëntor 2026.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, gjatë këtyre inspektimeve janë vendosur gjithsej katër masa administrative me paralajmërim dhe dy gjoba.

Konkretisht, subjekti “Redian Dobruna” është gjobitur me 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, ndërsa subjekti “Pronatyra treg” është gjobitur me 300 mijë lekë për hedhjen në treg të ushqimit të pasigurt.

Në qarkun e Beratit, inspektorët e AKU-së, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, kanë ushtruar kontroll në subjektin “Sybi Ametbeja”, me aktivitet në përpunimin dhe ambalazhimin e frutave.

Gjatë kontrollit janë bllokuar 11 produkte ushqimore, në një sasi totale prej 63.422 ton, deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike.

Përveç bllokimit të produkteve, për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare të konstatuara në ambientet e subjektit, AKU ka vendosur edhe ndërprerjen e aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore.

Ndërkohë, në qarkun e Durrësit është bllokuar një sasi prej 25.48 ton misër për ushqim kafshësh, në pronësi të subjektit “Besniku shpk”.

Sipas AKU-së, nga analizat laboratorike ka rezultuar se përmbajtja e aflatoksinës B1 në misër ishte mbi normën e lejuar, duke bërë që produkti të bllokohej.

Kontrollet janë kryer në kuadër të verifikimit të sigurisë ushqimore dhe respektimit të kërkesave ligjore nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion