Kontrollet teknike që i nxjerrin avionët jashtë fluturimeve për disa javë, çfarë ndodh në hangarë?

Teknologji

Kontrollet teknike që i nxjerrin avionët jashtë fluturimeve

Avionët e pasagjerëve i nënshtrohen periodikisht kontrolleve të thelluara teknike, gjatë të cilave tërhiqen përkohësisht nga qarkullimi për të verifikuar gjendjen e strukturës, sistemeve dhe komponentëve të tyre.

Një nga këto procedura është “C-Check”, një kontroll i detajuar që mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa javë, në varësi të modelit të avionit dhe volumit të punimeve.

Gjatë këtij procesi, avioni vendoset mbi mbështetëse të posaçme, ndërsa teknikët çmontojnë pjesë të kabinës, si sediljet, panelet dhe dyshemenë, për të pasur akses në strukturën e brendshme.

Specialistët kontrollojnë elementet metalike për shenja korrozioni, konsumimi apo dëmtime strukturore. Përmes pajisjeve elektromagnetike identifikohen edhe çarje mikroskopike, të cilat nuk dallohen me sy të lirë.

Kontrolle të posaçme u bëhen edhe mekanizmave të ngritjes dhe uljes së rrotave, si dhe sistemeve që mundësojnë manovrimin e avionit. Në komponentë të caktuar, bulonat sigurohen me tela çeliku për të parandaluar lirimin e tyre nga dridhjet gjatë fluturimit. Ndërhyrjet në mekanizmat kritikë kontrollohen në mënyrë të pavarur edhe nga një teknik i dytë.

Një kontroll i tillë mund të kërkojë rreth 6 mijë orë pune të akumuluara nga teknikët, në varësi të modelit të avionit dhe kompleksitetit të ndërhyrjeve. Çdo punim dokumentohet dhe certifikohet përpara se avioni të rikthehet në shërbim.

Intervalet e kontrolleve përcaktohen sipas modelit të avionit, orëve të fluturimit, numrit të ngritjeve dhe uljeve, si dhe programit të mirëmbajtjes.

Përveç “C-Check”, avionët i nënshtrohen edhe kontrolleve më të thelluara, të njohura si “D-Check”. Gjatë kësaj procedure mund të çmontohen motorët, kabina dhe një pjesë e konsiderueshme e sistemeve të avionit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion