“Zjarri në Krujë u dominua plotësisht”, ministri i Mbrojtjes: U parandalua një katastrofë e mundshme

Zjarri masiv që përfshiu Malin e Krujës është vendosur plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili ka vlerësuar angazhimin e të gjitha strukturave operacionale gjatë natës.
“Zjarri në Krujë u dominua plotësisht! Që prej orës 06:00 të mëngjesit, është vendosur plotësisht nën kontroll”, deklaroi Nufi, duke theksuar se situata tashmë është e qetë.
Ministri bëri me dije se në operacion janë angazhuar mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.
Sipas tij, pjesa më e madhe e forcave tashmë është rishpërndarë, ndërsa vijon monitorimi i zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.
Bilanci i dëmeve materiale mbetet i kufizuar. Vetëm një godinë, një magazinë në pronësi të një biznesi, rezulton e shkrumbuar nga flakët. Fatmirësisht, nuk raportohet asnjë person i dëmtuar dhe asnjë banesë e djegur.
Nufi e cilësoi ndërhyrjen e forcave operacionale si vendimtare për shmangien e një situate më të rëndë.
“Fatmirësisht një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren”, u shpreh ministri, ndërsa përcolli falënderime për të gjithë efektivët që u angazhuan në operacion.
“Falënderim dhe mirënjohje pa kufij për përkushtimin dhe sakrificën e veçantë të secilit prej efektivëve të forcave operacionale që luftuan në mënyrë të paepur për shuarjen e zjarrit masiv në Malin e Krujës”, përfundoi Nufi


