Shkodër/ Kontrollet me dron, radar dhe makina inteligjente, mbi 1200 masa administrative në një javë

Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.
Gjatë periudhës 30 korrik–6 gusht 2026, kontrollet kanë çuar në arrestimin e një drejtuesi mjeti dhe procedimin penal të një tjetër, ndërsa një leje drejtimi është pezulluar.
Në total, janë vendosur 1223 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Sipas Policisë Rrugore, 471 masa janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 329 për ndalim ose qëndrim të gabuar, 72 për parakalime të gabuara, 57 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 28 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit dhe 266 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që përbëjnë rrezik për sigurinë rrugore.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë shkeljet në numrin pa pagesë 112.