Rama njofton ndryshimet: Zjarrvënien në pyje do ta dënojmë sa vrasjen në Kodin Penal

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme, të kapur nga dronët e Forcës Ajrore, duke e cilësuar këtë veprim jo vetëm si krim, por edhe si tradhti ndaj tokës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë.
Rama thekson se në këto kohë të vështira, sidomos me krizën globale të ngrohjes dhe valën e zjarreve që po përfshin rajonin e Mesdheut, zjarrvënien duhet ta trajtojmë si vrasje në kuadër të Kodit Penal.
“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët.
Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal”, shkruan Rama, duke theksuar vendosmërinë e qeverisë në luftën kundër zjarrvënieve.


