Vrasja në Gjykatën e Apelit/ Flet sekretarja: Gjyqtari Kalaja u përpoq të mbrohej nga plumbat

Shqipëria u trondit më 6 tetor nga një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë në sistemin e drejtësisë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë shpalljes së një vendimi gjyqësor.
Autori i dyshuar i vrasjes është 30-vjeçari Elvis Shkambi. Autori mbushi armën sapo gjyqtari dha vendimin dhe qëlloi fillimisht me një plumb në drejtim të tij. Gjyqtari Kalaja tentoi të largohej dhe të mbrohej, por Shkambi e qëlloi edhe dy herë të tjera, duke e plagosur për vdekje në kraharor dhe në bark.
Më pas ka plagosur babë e bir me të cilët ishte në konflikt në lidhje me pronën. Sipas dëshmisë së sekretares së gjykatës, autori ka drejtuar armën edhe në drejtim të sekretares, por nuk e ka shkrepur.
Policia ka arrestuar edhe Gjon Shkambin, xhaxhain e autorit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja. Xhaxhai akuzohet për vrasje në bashkëpunim. Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.


