Vrasja e Ilaria Sulës në Itali, roli i prindërve të autorit në krim: E dinim që ajo...

Aktualitet

Vrasja e Ilaria Sulës në Itali, roli i prindërve të autorit

Vrasja e studentes shqiptare Ilaria Sula në Romë ka tronditur opinionin publik italian dhe shqiptar. Autori i dyshuar, ish-i dashuri i saj Mark Samson, ka pranuar krimin, por hetuesit dyshojnë se nuk ka vepruar i vetëm.

Mediat italiane kanë zbardhur dëshminë e prindërve të Mark Samson, autorit të vrasjes së studentes shqiptare Ilaria Sula. Gruaja dhe bashkëshorti i saj mund të hetohen për bashkëpunim në vrasje dhe fshehje kufome.

Trupi i 23-vjeçares u gjet në një greminë në Capranica Prenestina, pas një tentative për fshehje të kufomës në një valixhe. Krimi dyshohet të ketë ndodhur në banesën e familjes Samson, në prani të prindërve të Markut, Nors dhe Rik Samson, të cilët pretendojnë se nuk kanë dëgjuar asgjë.

"Ne ishim në shtëpi, e dinim që vajza ishte me Markun. Natën e 25 marsit ishim të dy në shtëpi. E dinim që Ilaria kishte ardhur për të vizituar Markun”, pohuan ata. Megjithatë, babai ka thënë më parë se kishte dalë dhe nuk ishte kthyer deri të nesërmen.

Nëna e Markut kishte shprehur pakënaqësi për lidhjen e djalit me Ilarian, duke thënë se “e shpërqendronte nga studimet”.

“Nuk doja që Mark ta sillte gjithmonë Ilarian në shtëpi. Kisha frikë se do ta shpërqendronte shumë – djali im duhet të jetë i përqendruar te studimet”, i ka rrëfyer ajo hetuesve.

Më shumë se konflikte të zakonshme, bëhet fjalë për një armiqësi të heshtur ndaj vajzës, ndoshta e lidhur me bindjet fetare të nënës

Hetuesit po shqyrtojnë nëse ajo dhe bashkëshorti kanë ndihmuar në krim apo në fshehjen e tij. Dëshmitë e tyre janë kontradiktore dhe të paplota, duke ngritur dyshime për bashkëpunim.

Dy javë pas vrasjes, prindërit e ish-të dashurit të viktimës nuk kanë mundur ende të shpjegojnë qartë se çfarë kanë bërë gjatë atyre 24 orëve dhe cili ka qenë roli i tyre në veprimet e të birit: të vrasë një vajzë të mbyllur me çelës në dhomën e tij, më pas – gjatë ditës – ta fusë trupin në një valixhe, pasi e ka mbështjellë me një qese plastike, ta ngarkojë në makinën e familjes – në rrugë, jo në ndonjë garazh – dhe ta çojë për ta hedhur në një greminë 40 kilometra larg Romës.

Dyshimet ndaj Nors dhe Rik Samsonit konsiderohen mëse të justifikuara, edhe për faktin që duket shumë e vështirë të besohet se Mark e ka kryer të gjithë këtë krim i vetëm. Tani edhe marrëdhënia mes nënës dhe ish-të dashurës së të birit është nën lupën e hetuesve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion