Vijon dita e katërt e shembjeve në Theth! Gruas i bie të fikët gjatë përplasjes me IKMT dhe policinë

Aktualitet

Vijon dita e katërt e shembjeve në Theth! Gruas i bie të

Inspektorët e IKMT-së, prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjte kanë rinisur sërish punën duke prishur të gjitha bujtinat e ngritura pa leje në zonën e Thethit.

Njëjtë si dhe dje, banorët kanë shfaqur rezistencë përballë forcave të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe policisë, duke mos i lejuar që t’ua shembin shtëpizat e drurit.

Ndërkohë, mësohet se gjatë kësaj përplasje një prej banoreve ka humbur ndjenjat. Kanë qenë familjarët e saj ata të cilët e kanë marrë në krahë dhe e kanë transportuar drejt ambulancës për të marrë ndihmë mjekësore.

Mëngjesin e sotëm, në Theth shkoi edhe drejtorja e IKMT-së, Dallëngyshe Bici, e cila kërkoi që operacioni të vijojë me ritme më të shpejta.

Vijon dita e katërt e shembjeve në Theth! Gruas i bie të

Ndërkohë, një ditë më parë, zyrtari i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Fatmir Mete shkoi personalisht në vendin e ngjarjes për të ndjekur nga afër aksionin.

Ai u përball me revoltën e qytetarëve, të cilëve u tha se autoritetet u kanë vendosur në dispozicion një njoftim paraprak dhe se institucionet kishin treguar tolerancë ndaj tyre.

“Na keni premtuar se do t’i çmontoni vetë objektet. Ju kemi toleruar dy ditë dhe kemi shkelur ligjin në këtë tolerancë. Mos luani me fatkeqësinë e tjetrit, se është gjynah”, deklaroi ai, duke shtuar më tej se objektet në fjalë janë ndërtuar pa leje dhe se banorët kanë tentuar që të shmangin përgjegjësinë duke kryer veprime noteriale për transformimin e pronësisë.

“Kur ka ardhur grupi i inspektimit, objektet kanë qenë në emër të një personi dhe tani i keni kaluar në emër të një tjetri”, tha Mete, teksa më tej shtoi se janë 80 objekte që do të prishen në këtë zonë.

Ndërkohë, nga ana tjetër banorët e kanë konsideruar këtë aksion si një masakër në mes të sezonit turistik, duke thënë se shumë prej objekteve të ndërtuara janë ngritur mbi prona të trashëguara dhe u shërbejnë atyre për të përftuar të ardhura për të jetuar.

“Duhet ta mbrojmë por jo të dhunohemi. Nuk kemi bërë asnjë krim, thjesht kemi përmirësuar shtëpitë e të parëve tona. Është krenari për Shqipërinë. Shteti shqiptar po bën masakër. Ne po kërkojmë më minimalen”, u shpreh një prej banorëve

ME TE LEXUARAT