U bllokuan afër shpellës së Pëllumbasit, policia shpëton dy turistët francezë
Tiranë/Operacion kërkim-shpëtimi, i zhvilluar rreth 5 orë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe RENEA.
Policia lokalizon dhe iu ofron ndihmë 2 turistëve francezë që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, te shpella e Pëllumbasit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, pasditen e djeshme kanë marrë njoftim se 2 turistë kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur, gjatë eksplorimit të natyrës, në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës”, afër shpellës së Pëllumbasit. Menjëherë janë nisur në drejtim të kësaj adrese, bashkë me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë. Pas disa orësh kërkime, para mesnatës, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 turistët francezë në vendin ku kishin mbetur të bllokuar për shkak se kishin humbur orientimin dhe nuk kishin më as ujë, as ushqim. Pasi iu kanë dhënë ndihmën e parë, për shkak të terrenit te rrezikshëm, shërbimet e Policisë kanë kërkuar shërbime të specializuara për të nxjerrë turistët nga vendi ku ishin bllokuar.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Në ndihmë të tyre kanë shkuar Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe shërbime të Repartit Special RENEA, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e turistëve nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe së bashku me shërbimet e tjera të Policisë i kanë shoqëruar me këmbë turistët, deri në vendin ku i priste ambulanca.
Dy turistët janë dërguar në spital, për ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë, për humanizmin dhe për ndihmën që iu ofruan.
Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.