Kujdes/ Rrezik i lartë për zjarre në 5 qarqe, temperaturat arrijnë deri në 40°C, IGJEO paralajmëron

IGJEO paralajmëron për rritje të rrezikut nga zjarret në pyje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në disa qarqe të vendit.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), niveli i rrezikut pritet të jetë “i lartë” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Fier, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Berat, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë rreziku parashikohet të jetë “i moderuar”.
Në disa qarqe, rreziku i lartë do të jetë i kufizuar vetëm në zona të caktuara. Konkretisht, bëhet fjalë për jugperëndimin e Shkodrës, qendrën e Kukësit, jugperëndimin e Dibrës, verilindjen e Korçës dhe veriperëndimin e Beratit.
IGJEO thekson se rreziku nga zjarret pritet të jetë edhe më i lartë gjatë ditës së nesërme, ndaj kërkohet kujdes i shtuar, veçanërisht në zonat pyjore dhe me bimësi të thatë.
Sa i përket motit, gjatë pasdites së sotme priten reshje lokalisht të dobëta në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në pjesën tjetër të vendit nuk parashikohen reshje. Për ditën e martë, sipas parashikimeve, nuk priten reshje.
Temperaturat do të vijojnë të jenë të larta, me vlera që pritet të luhaten nga 23°C deri në 35°C në zonat bregdetare, nga 22°C deri në 39°C në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore temperaturat do të variojnë nga 16°C deri në 34°C.
Era pritet të jetë e lehtë deri mesatare, por në bregdet dhe në zonat malore mund të forcohet.


