Tentoi të fuste drogë në burgun e Fushë -Krujës, kapet familjarja gjatë kontrollit

Në burgun e Fushë Krujës është goditur një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara gjatë një kontrolli fizik të ushtruar ndaj familjarëve që kryejnë takime me të dënuarit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit ndaj një shtetaseje me iniciale M.D., e cila kishte ardhur për takim me të dënuarin R.D., në xhepin e xhupit të saj është konstatuar një qese e vogël me lëndë të dyshuar narkotike, kanabis.
Menjëherë pas konstatimit, lënda është bllokuar, është hartuar dokumentacioni përkatës dhe është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve për vijimin e veprimeve procedurale.
Ndërkohë, në ambientet e institucionit po vijojnë kontrollet për të verifikuar nëse ka edhe sende të tjera të ndaluara. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet penitenciare.