Siguria e Altin Dumanit! Dy javë pas vendimit të KLP, Garda nuk shton efektivët

Aktualitet

Siguria e Altin Dumanit! Dy javë pas vendimit të KLP, Garda nuk shton

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë nga vendimi i Komisionit të Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për rritjen e masave të sigurisë, Garda e Republikës nuk ka shtuar numrin e efektivëve për mbrojtjen e Altin Dumani.

Burime nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëjnë me dije për Euronews Albania se numri i truprojave që shoqërojnë dhe ruajnë ish-drejtuesin e këtij institucioni vijon të mbetet i njëjtë, pavarësisht se Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka pranuar kërkesën e kreut aktual të SPAK, Klodian Braho, për rritjen e nivelit të sigurisë fizike.

Sipas burimeve, ndryshe nga Garda e Republikës, Policia e Shtetit i është përgjigjur kërkesave të SPAK për eskortim sa herë që kjo ka qenë e nevojshme. Përgjigjja e Gardës: Informacioni është “sekret shtetëror”.

Garda e Republikës refuzoi të japë detaje mbi masat konkrete të sigurisë, duke argumentuar se të dhënat mbi organikën dhe numrin e efektivëve për shoqërimin e personaliteteve të larta janë të klasifikuara në nivel “sekret shtetëror”.

Në përgjigjen zyrtare drejtuar gazetarit të Euronews Albania, Eni Ferhati, Garda thekson se: Organika e Gardës, që përmban numrin e punonjësve të sigurisë për grupet e shoqërimit të personaliteteve, është dokument i klasifikuar, bazuar në Vendimin nr. 1, datë 17.11.2021 të Ministrit të Brendshëm.

Sipas ligjit nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”, ky informacion nuk është i aksesueshëm për publikun.

Eskortat ndërtohen mbi bazën e analizës së riskut dhe faktorëve të parashikuar në VKM nr. 777, datë 15.12.2021.

Shoqërimi i z. Dumani kryhet në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore, si dhe me organikën e miratuar me urdhër të Ministrit të Brendshëm.

Pyetjet e drejtuara Gardës

Përmes një kërkese për informacion, Euronews Albania i ka adresuar Gardës këto pyetje:

1.A është shtuar numri i efektivëve për sigurinë e z. Dumani pas vendimit të Komisionit të Mbrojtjes pranë KLP? Nëse po, sa efektivë shtesë janë caktuar?

2.Cili është numri aktual i efektivëve që sigurojnë mbrojtjen e z. Dumani dhe familjarëve të tij, para dhe pas vendimit të Komisionit të Mbrojtjes?

Vendimi i Komisionit të Mbrojtjes

Në fund të janarit, Komisioni i Mbrojtjes pranë KLP vendosi rritjen e masave të sigurisë për ish-drejtuesin e SPAK dhe disa prokurorë të tjerë, për shkak të çështjeve komplekse dhe me ndikim të lartë publik që ata kanë trajtuar ndër vite.

Kërkesa për shtimin e sigurisë, e paraqitur nga kreu aktual i SPAK, Klodian Braho, u pranua nga Komisioni, pasi ishte e mbështetur në analizën përkatëse të riskut. Megjithatë, sipas burimeve nga SPAK, në terren nuk ka ende një ndryshim konkret në numrin e efektivëve që sigurojnë mbrojtjen e Altin Dumanit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion