SHBA paralajmëron dhunë në protesta dhe iu bëjnë thirrje qytetarëve amerikanë të rrinë larg turmave, pritet…

Aktualitet

SHBA paralajmëron dhunë në protesta dhe iu bëjnë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim emergjent dhe tejet të fortë, duke thyer heshtjen përballë revoltës masive popullore që ka paralizuar vendin, kryesisht Tiranën prej më shumë se një muaji. Përmes një njoftimi publik, selia diplomatike amerikane urdhëron prerazi qytetarët e saj të qëndrojnë larg protestës dhe turmave, për shkak të rrezikut të lartë të shpërthimit të dhunës në rrugë. Sipas selisë diplomatike, tubimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe mund të shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit.

Në njoftim nënvizohet se, megjithëse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi. Autoritetet paralajmërojnë se në zonat ku zhvillohen protestat mund të ketë prani të shtuar të policisë, bllokime rrugësh, devijime të trafikut dhe vështirësi në qarkullim, veçanërisht në orët para dhe gjatë zhvillimit të tubimeve. Po ashtu, nuk përjashtohet zgjerimi i protestave në zonat përreth, përfshirë edhe pranë institucioneve të tjera qeveritare. Ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë dhe publikut në përgjithësi të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm ndaj rrethinës, të kufizojnë shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike, si dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar.

Por ky reagim i fortë i ambasadës amerikane dëshmon se situata politike në Shqipëri ndodhet në pikën kritike të një shpërthimi social me përmasa historike. Pra duket qartë se protestat e përnatshme para Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pritet të vijojë deri në rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Ndërkohë kujtojmë se sot pritet të zhvillohet një tjetër protestë e madhe, ku pjesëmarrëse pritet të jetë edhe diaspora shqiptare. Incidentet e regjistruara ditët e fundit pranë Kuvendit kanë ngritur shqetësime për mundësinë e përshkallëzimit të dhunës në protestat e ardhshme. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, ndërsa më poshtë po pasqyrojmë reagimin e ambasadës amerikane.

Njoftimi i plotë i ambasadës së SHBA në Tiranë

“Vendndodhja:  Në të gjithë vendin; Tirana, Bulevardi Deshmoret e Kombit midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, Zyra e Kryeministrit

Data/Ora:  Në vazhdim

Ngjarja:  Demonstratat e natës vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrit, e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” midis Sheshit “Nënë Tereza” dhe Sheshit “Skënderbej”. Protesta të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim dhe potencialisht në qytete të tjera. Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen në zonat e afërta, duke përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Mund të pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut në orët para dhe gjatë protestave. Nëse ndodheni në një qytet ku ka një protestë, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

Veprimet që duhen ndërmarrë:

–Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin demonstratat.

–Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth. Kufizo shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik.

–Monitoroni mediat lokale.

–Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje.

–Mbani një profil të ulët”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës së SHBA në Tiranë.

 

ME TE LEXUARAT