Rritja e pagës minimale, 50% e bizneseve e shohin të nevojshme por pa ndikim në produktivitet

Aktualitet

Rritja e pagës minimale, 50% e bizneseve e shohin të nevojshme por pa

Bizneset vlerësojnë se rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë është një hap i nevojshëm apo shumë i nevojshëm.

Ky është perceptimi që ka marrë Sekretariati i Këshillit të Investimeve në një anketë të zhvilluar në mars të këtij viti me mbi 500 ndërmarrje të madhësive të ndryshme.

“Rreth 50% e bizneseve mendojnë se rritja e pagës minimale ka qenë e nevojshme/shumë e nevojshme. Kjo tregon se ekziston një dakortësi mbi nevojën për të përmirësuar pagat e punonjësve”, vlerëson raporti.

Gjetjet tregojnë sipas raportit se në kompani të ndryshme ka një numër të madh punonjësish që paguhen me nivelin e pagës minimale.

Sekretariati nënvizon se një përqindje e konsiderueshme e kompanive (34%) kanë më shumë se 50% të punonjësve me pagë minimale.

Kjo sipas tij nxjerr në pah rëndësinë e rritjes së pagës minimale për shumë të punësuar. Por rritja e pagës ka rritur automatikisht edhe kostot e operimit të këtyre ndërmarrjeve ku më të ndjeshme kanë qenë në biznese të vogla ndërkohë që për të mëdhatë ndikimi ka qenë më modest.

“Rritja e pagës minimale ka sjellë rritje të kostove të aktiviteteve të biznesit për shumicën e kompanive (84% kanë pësuar rritje deri në 30%). Kjo është përballuar kryesisht nga shkurtimi i fitimeve dhe rritja e çmimeve, dhe më pak me largim nga puna të punonjësve” thuhet në dokument.

Dy elementë që anketa ka marrë parasysh është ai i ndikimit të kësaj mase në konkurrueshmëri dhe në produktivitet.

Sipas raportit kompanitë kanë një perceptim të përzier për ndikimin e rritjes së pagës minimale në konkurrueshmërinë e tyre. Ndërsa 39% mendojnë se nuk ka pasur ndikim, 37% mendojnë se i ka bërë më pak konkurrues. Ky perceptim është i njëjtë edhe tek eksportuesit.

“Produktiviteti: Megjithatë, kompanitë nuk perceptojnë një rritje të produktivitetit për shkak të rritjes së pagës minimale. Vetëm 18% e tyre perceptojnë rritje të produktivitetit, kryesisht në shërbime dhe turizëm” thuhet në dokument.

Sipas sekretariatit të KI gjysma e kompanive perceptojnë rritje të motivimit të punonjësve në punë (disi/mjaft), kryesisht në shërbime, turizëm dhe industri pas rritjes së pagave. Kjo sugjeron që pagat më të larta mund të çojnë në rritjen e moralit dhe motivimit të punonjësve.

Ndërkohë politika e rritjes së pagave pavarësisht kostove vlerësohet pozitivisht nga kompanitë edhe në parashikimet e të ardhmes duke e cilësuar si një instrument për të frenuar valën e largimit jashtë të punonjësve.

“Pavarësisht rritjes së kostove, rreth 50% e kompanive mbështesin rritjen e mëtejshme të pagës minimale, kryesisht në shërbime, tregti dhe turizëm. Rreth një e treta e kompanive mendojnë se kjo do të ndihmojë në frenimin e largimit të fuqisë punëtore në vend, kryesisht në turizëm, tregti dhe industri” thuhet në raport./Monitor

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion