Videoja virale e vajzës mbi makinë, policia e Korçës merr masa ndaj pronarit të automjetit, gjobitet me 9 mijë lekë

Një pronar automjeti me iniciale L.B., është ndëshkuar me masën administrative 9 000 Lekë (9 mijë) dhe i është hequr leja e drejtimit, sipas pikave dhe neneve të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë e ka gjobitur drejtuesin e automjetit, pas një videoje të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetase që ka hipur sipër mjetit dhe qëndron në këmbë. Duket se kjo lëvizje i ka kushtuar shtrenjtë shoferit, si nga ana monetare, ashtu edhe nga administrative.
Njoftimi i Drejtorisë Vendore Korçë:
“Në lidhje me një video të postuar në rrjetin social “Instagram”, në të cilën shfaqet një shtetase që qëndron në këmbë mbi një automjet në lëvizje, bëjmë me dije se:
Pronari i automjetit që shfaqet në video, shtetasi L. B., është ndëshkuar me masa administrative 9 000 lekë dhe tërheqje të lejes së drejtimit, bazuar në pikën 3 të nenit 126, pikën 9 të nenit 167, pikat 1 dhe 8 të nenit 170 dhe pikën 1 të nenit 117 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose në strukturat e Policisë, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe të paligjshmërive, duke i garantuar se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.


