Reshjet e shiut shkaktojnë probleme në Dimal, uji futet në 7 banesa, përmbyten tokat bujqësore

Aktualitet

Reshjet e shiut shkaktojnë probleme në Dimal, uji futet në 7

Reshjet e shiut kanë vijuar në territorin e qarkut Berat nga ora 23:00 e mbrëmjes së djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, 20 nëntor 2025, me intensitet të ulët deri mesatar. Niveli i lumit Osum në qytetin e Beratit është regjistruar në 3.71 metra, ndërsa në pikëmatjen e Çorovodës ka arritur në 2.33 metra.

Pavarësisht rritjes së nivelit, nuk janë raportuar dalje të lumit nga shtrati në qytetin e Beratit, por në Njësinë Administrative Velabisht, në fshatin Veterrik, vijon prezenca e ujit në rreth 80 hektarë ullishte dhe toka bujqësore, për shkak të mos tërheqjes së lumit që nga dita e djeshme. Në fshatin Moravë, një banesë ndodhet ende nën ujë.

Në bashkinë Dimal, në zonën e quajtur Dafinat, prezenca e ujit ka prekur pesë banesa në katet e para, ndërsa dy banesa të tjera në fshatin Çiflik janë raportuar me të njëjtin problem. Janë marrë masa për garantimin e sigurisë së banorëve. Në fshatrat Arrës dhe Çiflik është shënuar dalje e lumit nga shtrati, çka ka shkaktuar përmbytjen e rreth 13 hektarëve tokë bujqësore.

Ndërkohë, në bashkinë Poliçan është shënuar përmirësim i situatës në fshatrat Bregas dhe Vodiçë, ku ujërat janë në tërheqje. Sa i përket kalueshmërisë së rrugëve, nga Salla e DVP është raportuar prezencë gurësh dhe inertesh në aksin Berat–Poliçan, në vendin e quajtur Çezma e Thatë. Kontraktori “2T shpk” është njoftuar për pastrimin e segmentit, ndërsa po kryhet kontroll i plotë i rrugës deri në Çorovodë. Autoritetet njoftojnë se vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në komunikim të vazhdueshëm.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion