Rëndohet zjarri në Shkozet/ Aksi Plepa-Durrës bllokohet nga të dyja drejtimet, zjarrfikëset pa ujë

Aksi rrugor Plepa-Durrës është bllokuar nga të dyja anët e qarkullimit, për shkak të situatës së rënduar nga zjarri masiv që ka përfshirë magazinat në zonën e Shkozetit.
Policia ka ndërprerë lëvizjen e automjeteve në të dyja korsitë e aksit, duke krijuar një perimetër sigurie për shkak të flakëve dhe shpërthimeve që janë regjistruar më herët në magazinën ku dyshohet se ndodheshin fishekzjarre.
Ndërkohë, zjarrfikësit vijojnë operacionin për shuarjen e zjarrit, por përballen me vështirësi gjatë ndërhyrjes. Sipas informacioneve nga terreni, disa prej mjeteve zjarrfikëse kanë mbetur pa ujë.
Zjarri, i cili nisi në një magazinë në Shkozet dhe më pas u përhap edhe në objektin ngjitur, vijon të mbajë në alarm zonën, ndërsa autoritetet po punojnë për izolimin e plotë të vatrës.
Qytetarëve u është kërkuar të mos afrohen pranë zonës së rrezikut.


