Rama përpiqet të “rregullojë” algoritmin me patronazhistë, komentet kritike dhe zhgënjimi i 13 viteve nuk zbehen dot

Ka diçka që bie në sy në komunikimin online të kryeministrit Edi Rama gjatë javëve të fundit.
Në fillim të protestave, hapësira e komenteve ishte tërësisht e mbushur me kritika, pakënaqësi dhe revoltë. Ditët e fundit, çuditërisht, pa ndryshuar asgjë thelbësore në qeverisje, nisën të shfaqen komente entuziaste, lavdëruese dhe mbështetëse.
Çfarë ndryshoi?
Realiteti nuk ndryshoi.
Problemet mbetën të njëjtat, pakënaqësia është e madhe dhe protestat nuk ndalojnë.
Kur perceptimi publik nuk përputhet me realitetin, lind dyshimi se po tentohet të ndërtohet një realitet paralel.
Nëse një udhëheqës e ndien të nevojshme të mbështetet te mekanizma propagande, te ushtria e profileve false, nga patronazhistë dhe punonjës të administratës, që përsërisin të njëjtat mesazhe, te administrata që e ka për detyrë të duartrokasë në vend që të shërbejë qytetarët, kjo nuk është shenjë force. Është shenjë pasigurie. Por besimi nuk ndërtohet me komente të orkestruara. As popullariteti nuk rikthehet duke krijuar iluzionin e mbështetjes.
Qytetarët e dallojnë shumë mirë ndryshimin mes reagimit spontan dhe atij të dirigjuar. Dhe sa më shumë tentohet të manipulohet perceptimi publik, aq më shumë zbehet besueshmëria. Algoritmet mund të ndikohen, komentet mund të organizohen, por realiteti nuk redaktohet. Ai hyn çdo ditë në shtëpitë e njerëzve përmes faturave, çmimeve, shërbimeve, emigrimit të të rinjve dhe mungesës së shpresës. Propaganda mund të krijojë zhurmë, por nuk mund të zëvendësojë të vërtetën.
Koha provon se kur një qeveri investon më shumë për të bindur njerëzit se gjithçka është mirë, sesa për ta bërë vërtet mirë, ajo në fakt pranon dështimin e saj.


