Plagosja e trefishtë në Mamurras, SHÇBA jep detajet: Konflikti nisi pasi policia kontrolloi një lokal

Aktualitet

Plagosja e trefishtë në Mamurras, SHÇBA jep detajet: Konflikti

Një ditë pas ngjarjes në Mamurras ku mbetën të plagosur 3 persona, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka dhënë detajet e ngjarjes, ku u arrestuan 4 persona, në mes tyre edhe një polic, i cili nga pakujdesia plagosi dy kolegët e tij edhe një person tjetër.

 

“Kurbin - SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka arrestuar 1 punonjës policie dhe 3 shtetas të tjerë në lidhje me ngjarjen e djeshme, ku mbetën të plagosur 3 persona.

Në datë 13 prill 2021 në Qendër Mamurras, rreth orës 13:50, tre shtetas kanë goditur me sende të forta, një punonjës policie, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin N.V. dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë I.Z. dhe F.LL. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm.

Ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambjentet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N. V. (M.F), i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras. Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë.

Rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërrruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i policisë D.M. ka qëlluar me armë duke plagosur personat e sipërpërmendur.

SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka kryer veprimet hetimore të nevojshme dhe në 13.04.2021 u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve:

-  GJ. (G) F., 40 vjeç, lindur e banues në Mamurras;

-  N.V. (M.F.), 36 vjeç, lindur e banues në Mamurras;

- R.S. (F), 31 vjeç, lindur e banues në Mamurras.

 

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.

 

Nga grupi i posaçëm hetimor u sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë D.M. si dhe automjeti tip "Porsche Cayen" me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes.

Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore dhe pasojat e ardhura nga përdorimi i armës së zjarrit, u bë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor D. M., 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, njofton SHÇBA.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion