Plagosja e dy efektivëve në Mamurras, Policia: U qëlluan nga kolegu, SHBÇA ka nisur hetimet

Policia e Shtetit sqaron konfliktin e ndodhur në Mamurras, ku mbetën të plagosur tre persona, mes tyre dy efektivë policie.
Sipas burimeve nga policia, ka qenë një polic ai që ka plagosur dy kolegët e tij, I.Z dhe F.LL si dhe një nga personat e personat e përfshirë në konflikt.
Pavarësisht se të tre të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën SHBÇA ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Kujtojmë se drejt Mamurrasit, u nis dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Kurbin/Informacion paraprak
Rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.
Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje.
Informacion më të detajuar do të japë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në përfundim të veprimeve të para hetimore.


