“Nuk u mjaftua me besimtarët, por goditi njerëzit në rrugë”, imami reagon mbi sulmin te xhamia

Imami Ahmed Kalaja ka sqaruar opinionin publik ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në xhaminë “Dine Hoxha” te Rruga e Kavajës, ku shtetasi Rudolf Nikolli është futur në ambientet e brendshme të objektit të kultit duke plagosur me thikë 5 persona.
Ahmed Kalaja e cilësoi një akt barbarie ngjarjen, ndërsa theksoi se shpreson që të mos ketë qenë një akt terrorist.
“Ka ndodhur një akt barbarie pranë xhamisë Dinë Hoxha, ku një njeri i armatosur më thikë, godet besimtarët brenda xhamisë.
Nuk mjaftohet me besimtarët, por godet edhe njerëzit në rrugë. Faleminderit Zotit që personi është arrestuar! Situata është në kontroll nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Lus Zotin që të shërojë vëllezërit tanë!
Shpresoj që të mos ketë qenë akt terrorist, shpresoj të ketë qenë njeri me të meta mendore. Shpresoj që për punë orësh xhamia të kthehet në gjendjen e mëparshme. Zoti largoftë nga ne njerëzit me probleme, që duan të prishin harmoninë dhe qetësinë e këtij muaji të begatë. Janë plagosur disa vëllezër nga stafi i xhamisë dhe vëllezër besimtar që kanë qenë duke adhuruar zotin atë moment”, sqaron ai.


