Ndeshja me Bjellorusinë, publikohet formacioni i kombëtares, rreth 100 shqiptarë krah kuqezinjve
Publikohet formacioni i Shqiperise ne ndeshjen me Bjellorusine.

Faqja zyrtare e kombetares ka publikuar formacionin ku bejne pjese:
Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Mitaj, Pilo, Shehi, Asllani, Laci, Hoxha dhe Manaj.

Edhe pse sfida me Bjellorusinë luhet pa tifozë për shkak të sanksioneve të UEFA-s dhe FIFA-s, Shqipëria nuk do të jetë vetëm.
Ramadani dhe Muçi qëndrojnë pranë skuadrës, ndërsa kuqezinjtë do të zbresin në fushë me fanellën e bardhë.
Rreth 100 shqiptarë në mbështetje të Kombëtares
Kampi kuqezi në Budapest po bëhet gati për ndeshjen e fundit të grupit C1 në Ligën e Kombeve. Pak orë përpara sfidës me Bjellorusinë, që nis në orën 18:00 në stadiumin Illovszky Rudolf, vijnë disa detaje interesante nga ambienti i Kombëtares shqiptare.
Edhe pse takimi zhvillohet pa praninë e tifozëve, si pasojë e sanksioneve të vendosura nga UEFA dhe FIFA ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë nuk do të jenë pa mbështetje. Rreth 100 shqiptarë pritet të jenë të pranishëm në stadium, mes delegacionit të FSHF-së dhe gazetarëve që kanë udhëtuar drejt Budapestit. Këtë herë, përtej detyrave zyrtare, ata do të jenë edhe tifozët e Kombëtares, duke i dhënë skuadrës mbështetjen e tyre nga shkallët e stadiumit.
Muçi dhe Ramadani, nga mungesat në tifozë të skuadrës
Një tjetër detaj interesant vjen nga dy futbollistët që nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Maran. Bëhet fjalë për Muçin dhe Ramadanin, të cilët, pavarësisht se nuk mund të luajnë, kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë grupit.
Ramadani, i pezulluar për këtë takim dhe në dijeni se nuk do të ishte në fushë, nuk është larguar nga grumbullimi, por ka preferuar të jetë pranë shokëve të skuadrës. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe Muçi, i cili për shkak të dëmtimit nuk do të jetë as në stol, por do ta ndjekë ndeshjen si një tifoz i kuqezinjve.
Shqipëria zbret në fushë me fanellën e bardhë
Një tjetër detaj që do të karakterizojë paraqitjen e Shqipërisë në Budapest është uniforma. Kombëtarja do të luajë me fanellën e bardhë, uniformën e dytë të saj, pasi në këtë përballje konsiderohet skuadër udhëtuese, edhe pse ndeshja zhvillohet në fushë neutrale.
Gjithçka gati për sfidën e orës 18:00
Tashmë gjithçka është gati për sfidën e fundit të grupit C1, ku Shqipëria kërkon ta mbyllë me sukses aventurën në Ligën e Kombeve./tch


